A nuk flitet për dashurinë në Kuran?

Kurani është Libri i Vërtetë që Allahu e zbriti për t’i çuar njerëzit te morali i bukur. Ky moral është ndërtuar mbi themele që kanë në bazë dashurinë, mëshirën, tolerancën dhe fjalën më të bukur. Fjala ”Islam” rrjedh nga fjala arabe ”paqe”. Allahu e dërgoi Islamin që njerëzit të bëjnë një jetë të mbështetur në dashuri dhe paqe.
O ju që keni besuar, hyni të gjithë së bashku në “paqe dhe siguri (në Silm, në Islam) dhe mos ndiqni hapat e shejtanit. Sepse ai është për ju një armik krejtësisht i hapur. (Surja Al-Bakara, 208)
Allahu i ka lënë njerëzit të lirë në çështjen e besimit të tyre. ”Në fe nuk ka detyrim (dhe shtypje).” (Surja Al-Bakara, 256) Kush të dojë, beson në atë që do. Detyra e myslimanit është që me fjalë të butë dhe të bukur, ndaj njerëzve ”të urdhërojë të mirën dhe të ruajë nga e keqja”. Allahu, edhe për një të shfrenuar si Faraoni, thotë “Thuajini atij fjalë të butë, ndoshta merr këshillë e mendohet ose i dridhet zemra e frikësohet.” (Surja Ta-Ha, 44). Në Kuran këshillohet gjithmonë të jesh me natyrë të butë, të ruhesh nga të qenit i vrazhdë dhe zemërngurtë dhe të bësh mirë.
”Për shkak të një mëshire nga Allahu, u solle butë me ta. Sikur të ishe i vrazhdë, zemërngurtë, ata do të shpërndaheshin e do të largoheshin nga rrethi yt…” (Surja Al Imran, 159) Stili i butë dhe tolerant është bashkues; ndërsa të qenit i vrazhdë dhe zemërngurtë është një mënyrë sjelljeje që e prish unitetin.
Dashuria për Ithtarët e Librit
Myslimanët sillen me dashuri të thellë, mëshirë dhe drejtësi ndaj musevinjve dhe isevinjve, të cilët në Kuran përkufizohen si ‘Ithtarët e Librit’. “Allahu nuk ju ndalon që t’u bëni mirë dhe të silleni drejt me ata që nuk luftojnë me ju për çështjen e fesë dhe nuk ju dëbojnë e nuk ju nxjerrin nga vatrat tuaja. Sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.” (Surja Al-Mumtehine, 8) Siç kuptohet edhe nga ajeti, ndaj atyre që nuk janë në një luftë negative me myslimanët për çështjen e fesë, sillesh me mirësi dhe drejtësi. Në një ajet tjetër Allahu thotë: ”Prej tyre, më të afërt në dashuri me ata që kanë besuar do të gjesh ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”.” (Surja Al-Maide, 82)
Dashuria midis bashkëshortëve
Allahu flet për faktin se në xhenet bashkëshortët janë të dashuruar me dashuri me njëri-tjetrin. ”Të dashuruar me dashuri pas bashkëshortëve të tyre (dhe) gjithmonë moshatarë…” (Surja Al-Vakia, 37) Besimtarët, që përpiqen ta jetojnë në këtë botë moralin e xhenetit, janë të lidhur edhe me bashkëshortët e tyre në këtë botë me ndjenja dashurie dhe mëshire.
”Që të ‘gjeni qetësi dhe të qetësoheni’ tek ajo, krijimi për ju i bashkëshortëve nga vetë nefset tuaja dhe vendosja midis jush e një dashurie dhe mëshire është gjithashtu nga ajetet e Tij… ” (Surja Ar-Rum, 21) Dashuria e vërtetë arrihet duke jetuar moralin e Kuranit. Mëshira është një pjesë e dashurisë. Njeriu ka mëshirë për atë që do dhe ushqen dashuri për atë që i ka mëshirë.
Ndjeshmëria në dashuri e profetëve dhe e atyre që kanë besuar
Mëshira e Pejgamberit Muhamed, dashuria dhe përkushtimi i tij për besimtarët, përbën një shembull shumë të bukur për myslimanët. Allahu në Kuran e përmend kështu këtë moral të lartë të Pejgamberit Muhamed:
Betohemi se ju ka ardhur nga mesi juaj një i dërguar, të cilit i rëndon që të bini në vështirësi, shumë i përkushtuar ndaj jush, i dhembshur dhe mëshirues ndaj besimtarëve. (Surja At-Tevbe, 128)
Në Kuran për Pejgamberin Jahja Allahu thotë: ”Nga ana Jonë (i dhamë) edhe një ndjeshmëri dashurie dhe pastërti. Ai ishte shumë i devotshëm.” (Surja Merjem, 13) Ndjeshmëria e dashurisë dhe pastërtia janë shenjë e besimtarit.

”Sa për ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, Rahmani (që është Allahu) do të krijojë për ta një dashuri.” (Surja Merjem, 96) Siç kuptohet nga ajeti, Allahu krijon dashuri në brendësi të atyre që kanë besuar.
Fjala e bukur, mirësia, durimi dhe mëshira bëhen shkak për dashuri
Dikush që synon t’ua kumtojë të gjithë njerëzve moralin e bukur të Islamit, duhet ta mbartë atë moral në vetvete. Sepse kumtimi më i bukur është të jesh shembull. ”E mira dhe e keqja nuk janë të barabarta. Ti largoje (të keqen) në mënyrën më të bukur; atëherë (do të shohësh se) ai me të cilin ke armiqësi, është bërë sikur një mik(u yt) i ngrohtë.” (Surja Fussilet, 34) Siç kuptohet edhe nga ajeti, largimi i së keqes në mënyrën më të bukur dhe marrja për bazë e të mirës, bëhet shkak për një rezultat që do të krijojë dashuri midis teje dhe personit që është armiku yt.
Allahu thotë: ”Thuaju robërve të Mi të thonë fjalën më të bukur. Sepse shejtani i prish marrëdhëniet mes tyre.” (Surja Al-Isra, 53) Në ajet nuk urdhërohet të thuhet vetëm e bukura e fjalës. Thuhet: thoni më të bukurën. Edhe kjo është një adhurim si namazi. Dhe besimtarët, pa bërë dallim mes njerëzve, janë të përgjegjshëm t’i thonë fjalën më të bukur ateistit, budistit, Ithtarit të Librit, të pasurit, të varfrit… Kjo do të bëhet shkak për forcimin e lidhjeve të dashurisë, fillimisht mes individëve, pastaj mes shoqërive.
A nuk e pe, si ka dhënë Allahu një shembull: Një fjalë e bukur është si një pemë e bukur, rrënja e së cilës është e palëvizshme, ndërsa dega e saj është në qiell. (Surja Ibrahim, 24)
Ndërsa fjala e keqe (e ndyrë) është si një pemë e keqe. Rrënja e saj është këputur nga sipërfaqja e tokës, nuk i ka mbetur qëndrueshmëri (mundësi për të qëndruar në vend, për t’u mbajtur). (Surja Ibrahim, 26)
Për ata që kanë besuar, ”të jesh nga ata që ia këshillojnë durimin njëri-tjetrit, nga ata që ia këshillojnë mëshirën njëri-tjetrit.” (Surja Al-Beled, 17) është një çështje e rëndësishme.
Falja bëhet shkak për dashuri
Çdo problem zgjidhet me dashuri, mëshirë, durim dhe mirëkuptim. Allahu në Kuran i këshillon njerëzit kështu se duhet të jenë falës:
Ata prej jush që janë të virtytshëm dhe të pasur, të mos e pakësojnë dhënien për të afërmit, për të varfrit dhe për ata që emigrojnë në rrugën e Allahut, le të falin dhe të tregohen tolerantë. A nuk e doni që Allahu t’ju falë? Allahu është falës, mëshirues. (Surja An-Nur, 22)
… Përveç një pakice prej tyre, vazhdimisht sheh tradhti prej tyre. Megjithatë fali ata, mos ua vër veshin. Pa dyshim, Allahu i do ata që bëjnë mirë. (Surja Al-Maide, 13)
Të mos merret shpërblim për kumtimin përveç ”dashurisë”
T’u kumtosh njerëzve moralin e bukur të Islamit, të këshillosh të mirën dhe të ruash nga e keqja, të rekomandosh drejtësinë, durimin dhe mëshirën, të nxitësh ushqyerjen e të varfrit është adhurim. Pagesa/shpërblimi i këtij adhurimi është tek Allahu. Nga njeriu pritet vetëm dashuria.
Thuaj: “Unë për këtë nuk kërkoj nga ju asnjë shpërblim, përveç dashurisë në afërsi.” Kush fiton një të mirë, Ne ia shtojmë të mirën në të. Vërtet Allahu është falës, shpërblyes i atij që falënderon. (Surja Ash-Shura, 23)
Dashuria për pasurinë
Allahu në ajetin 177 të sures Al-Bakara njofton se njerëzit e besimit janë ata që ”përkundër dashurisë për pasurinë, ua japin atë të afërmve, jetimëve, të varfërve, atij që ka mbetur në rrugë, atij që kërkon e lyp dhe skllevërve (për lirinë e tyre)”. Në një ajet tjetër thuhet: ”Ata vetë, përkundër dashurisë që ndiejnë për të, ia japin ushqimin të varfrit, jetimit dhe robit.” (Surja Al-Insan, 8) Në këtë ajet tregohet një moral në të cilin dashuria dhe mëshira janë në nivelin më të lartë. Thuhet se njeriu, përkundër dashurisë ose dëshirës që ndien për të, ia jep ushqimin robit që pak më parë donte ta vriste.
Pasuria, ashtu si varfëria, është çështje sprove. Pronari i pasurisë ”Allahu ia zgjeron e ia shtrin rizkun kujt të dojë dhe ia ngushton gjithashtu.” (Surja Ar-Ra'd, 26) Nëse fjalët e Pejgamberit Sulejman “Vërtet unë e parapëlqeva dashurinë për pasurinë (ose kuajt) për shkak të përmendjes së Zotit tim…” (Surja Sad, 32) merren shembull dhe pasuria e kësaj bote përdoret për rrugët që tregoi Allahu, do të shtohen edhe dashuria, dashamirësia dhe mëshira midis njerëzve.
Përfundim
Që dashuria e vërtetë të jetohet reciprokisht, njerëzit fillimisht duhet ta duan Allahun me një dashuri të thellë, të jenë të lidhur me dashuri të zjarrtë dhe të tregojnë një moral me të cilin mund ta fitojnë dashurinë e Allahut. Allahu e vendos dashurinë në zemrën e robërve që i do dhe krijon në zemrën e njerëzve të tjerë një dashuri ndaj tyre. Burimi i vërtetë dhe zotëruesi i dashurisë është vetëm Allahu.
Midis njerëzve ka nga ata që veç Allahut mbajnë ‘shokë dhe ortakë’, të cilët (i) duan si ta donin Allahun. Ndërsa dashuria e atyre që kanë besuar për Allahun është më e fortë… (Surja Al-Bakara, 165)
Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi. (Surja Al-Mumtehine, 8)
Allahu i do ata që pastrohen. (Surja At-Tevbe, 108)
Allahu i do ata që janë muttaki. (Surja At-Tevbe, 7)
Allahu i do ata që bëjnë mirë. (Surja Al-Maide, 93)
Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi. (Surja Al-Maide, 42)
Allahu i do ata që mbështeten tek Ai. (Surja Al Imran, 159)
Allahu i do ata që durojnë. (Surja Al Imran, 146)
Allahu i do ata që pendohen, i do edhe ata që pastrohen. (Surja Al-Bakara, 222)
Edhe Allahu i do ata që ruhen. (Surja Al Imran, 76)