A e kishte dhënë Pejgamberi në Kurayza urdhrin për vrasjen e 400/900 hebrenjve?
Sipas transmetimit, Beni Kurayza, që ishte nga fiset hebreje, mbajti anën e kurejshitëve dhe të aleatëve të tyre, të cilët bënë një sulm të pasuksesshëm kundër Medinës për ta shkatërruar Islamin. Ky sulm më serioz i bërë kundër Islamit përfundoi me dështim dhe më pas Beni Kurayza u rrethua nga Pejgamberi. Si Beni Nadir, kur Beni Kurayza u dorëzuan, ndryshe nga Beni Nadir, iu drejtuan arbitrimit të Sa‘d b. Mu‘az, një anëtari të fisit Evs, nga aleatët e tyre. Sa‘di dha vendimin që burrat e rritur të vriteshin, ndërsa gratë dhe fëmijët të merreshin si skllevër. Si rezultat i kësaj, në tregun e Medinës u hapën hendeqe, burrat e Kurayzës u sollën në grupe dhe u prenë në qafë. Transmetimet për numrin e të vrarëve ndryshojnë nga 400 deri në 900.
Kur shqyrtohet ky transmetim, hollësitë e tij duken të tilla që japin shkak për kundërshtime. Së pari, pretendimi se 600, 800 ose deri në 900 njerëz nga Beni Kurayza u masakruan pa mëshirë nuk është i vërtetë. Ky është një pretendim i nxjerrë më vonë dhe burimin e tij kryesor e përbëjnë transmetimet hebreje.
Burimi më i vjetër që përmban informacionin më të hollësishëm për këtë çështje është Sîreti i Ibni Ishakut. Kjo vepër është gjithashtu vepra më gjithëpërfshirëse dhe nga e cila janë bërë më shumë citime.
Por, në vend të këtyre burimeve të periudhës së vonë dhe jo të sigurta, duhet të qëndrojë Kurani, një burim i njëkohshëm me ngjarjet dhe tërësisht autentik. Në ajetin 26 të sures Al-Ahzab ka një referencë shumë të shkurtër për ngjarjen e përmendur:
“Allahu i zbriti nga kalatë e tyre ata nga Ithtarët e Librit që u ndihmuan idhujtarëve dhe në zemrat e tyre hodhi një frikë të madhe. Ju një pjesë të tyre [ferîqan] po i vrisnit, një pjesë tjetër po i zinit robër.”
Siç shihet në ajet, nuk ka asnjë informacion lidhur me numrin e të vrarëve.
Ajeti në Kuran flet për ata që morën pjesë faktikisht në luftë. Kjo është një deklaratë që lidhet me luftën. Në këtë deklaratë bëhet fjalë për personat që luftuan. (Si pasojë e natyrshme e luftës) disa prej tyre u vranë, disa të tjerë u zunë robër.
Njeriu nuk mund të mos mendojë kështu: Nëse në lidhje me këtë ngjarje janë vrarë 600 ose 900 veta, rëndësia e kësaj ndodhie do të ishte shumë e madhe. Në Kuran duhej të kishte shpjegime më të qarta, shembuj për t'u marrë mësim dhe mësime që duhen nxënë për këtë çështje. Por nëse u vranë vetëm udhëheqësit fajtorë (që kishin luftuar), pasoja e kësaj duhej të gjendej në Kuran me një shpjegim të shkurtër.
Fjala e fundit që duhet thënë për burimet; ato nuk janë as të denja për vëmendje, as në gjendje që t'u besohet. Konstatimet u përkasin një periudhash shumë të vona. Prandaj, arsyet për refuzimin e transmetimit mund të renditen kështu:
1- Siç u tha më lart, në Kuran referencat për transmetimet e përmendura janë shumë të shkurtra dhe nuk ka asnjë shprehje për vrasjen e një numri të madh njerëzish. Kur bëhet fjalë për luftën, referenca u drejtohet atyre që luftojnë faktikisht. Kurani është i vetmi burim që historianët do ta pranonin pa asnjë dyshim. Është një tekst i njëkohshëm me atë ngjarje dhe, për shumë arsye bindëse, është versioni më autentik i ngjarjes që kemi.
2- Sipas dispozitave islame, ndëshkohen vetëm personat që janë përgjegjës për tradhtinë.
”Përveç atyre nga idhujtarët me të cilët keni nënshkruar marrëveshje, që nuk kanë pakësuar asgjë (nga marrëveshja) dhe nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush; atyre plotësojuani marrëveshjen e tyre deri në mbarimin e afatit. Pa dyshim, Allahu i do të devotshmit.” (Surja At-Tawba,4) Siç kuptohet nga ajeti, ata që i përmbahen marrëveshjes ose që nuk bashkohen me ata të anës së tyre dhe nuk i ndihmojnë ata kundër muslimanëve janë veçuar.
3- Të vrasësh një numër kaq të madh njerëzish është krejtësisht në kundërshtim me kuptimin e drejtësisë në Islam dhe me parimin themelor që gjendet në Kuran, “Asnjë mëkatar nuk e mban përgjegjësinë e mëkatit të tjetrit” (Surja Fatir, 18).
Në Islam ”Allahu nuk ju ndalon që t'u bëni mirë dhe të silleni me drejtësi ndaj atyre që nuk luftojnë me ju për çështje feje dhe nuk ju dëbojnë nga vatrat tuaja. Sepse Allahu i do ata që bëjnë drejtësi.” [Surja Al-Mumtahina, 8] urdhëron. Të sillesh me mirësi dhe drejtësi ndaj atyre që nuk luftojnë me muslimanët dhe nuk i dëbojnë nga vatrat e tyre është themelore në Kuran.
4- Ky transmetim është gjithashtu në kundërshtim me dispozitat e Kuranit për robërit e luftës. Sipas dispozitës së Kuranit, robërit ose duhet të lirohen drejtpërdrejt, ose duhet të lëshohen kundrejt shpërblimit.
… Më në fund, kur t'i keni ‘thyer plotësisht dhe të fitoni’, atëherë shtrëngoni fort lidhjen (për robërit). Pas kësaj, ose si një mirësi (lërini) ose kundrejt një shpërblimi (lëshojini). Derisa lufta t'i lërë barrët e saj (të marrë fund)… (Surja Muhamed, 4)
5- Nëse qindra njerëz janë vrarë në treg dhe për këtë janë hapur hendeqe, është shumë interesante që nuk ka asnjë gjurmë në lidhje me këtë, nuk ka asnjë referencë ose shkrim që tregon vendin e përmendur.
6- Në transmetimin e Kurayzës transmetohet se u vranë disa persona, të përshkruar si njerëz që bënë armiqësi aktive. Që këta të ndëshkohen sepse u bënë shkak për tradhti është një përfundim i arsyeshëm. Nga këtu nuk mund të nxirret përfundimi se u ndëshkua i gjithë fisi. Sepse, siç e thamë edhe më lart, kjo do të ishte një gjendje në kundërshtim me dispozitën e ajeteve.
Allahu thotë: ”Atyre (besimtarëve) kundër të cilëve është hapur luftë, për shkak se u është bërë padrejtësi, u është dhënë leje (për të luftuar)…” (Surja Al-Hajj, 39). Në një ajet tjetër Allahu; ”Luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që luftojnë me ju, (por) mos e teproni. Sigurisht Allahu nuk i do ata që e teprojnë.” (Surja Al-Baqara, 190) urdhëron. Siç kuptohet nga të dy ajetet, lufta është e drejtë vetëm kur ka një sulm në atë mënyrë që kërcënon sigurinë e pasurisë dhe të jetës. Por nuk ka leje për ta tepruar.
7- Ashtu si personat që vijnë nga pasardhësit e Kurayzës duan të lartësojnë të parët e tyre, po ashtu kanë vepruar edhe pasardhësit e medinasve të lidhur me ngjarjen. Është një e vërtetë se, për të lartësuar të parët ose për të pastruar ata që fillimisht ishin kundër Islamit, nga brezat e mëvonshëm u trilluan shumë histori dhe shumica e këtyre transmetimeve u transmetuan nga Ibni Ishaku.
8- Edhe hollësitë e tjera janë të vështira për t'u pranuar. Si është e mundur që qindra njerëz të jenë mbyllur në një shtëpi të vetme që i përkiste një gruaje nga Beni Neccâr.
Burimet e transmetimit janë tepër të dyshimta dhe hollësitë e lajmit janë krejtësisht në kundërshtim me shpirtin e Islamit dhe me ajetet e Kuranit. Ka mungesë burimesh të besueshme dhe provat rrethanore nuk i mbështesin transmetimet. Kjo do të thotë se transmetimi është i një natyrë përtej të qenit i dyshimtë.
Në Islam, përveç kisasit dhe gjendjes së luftës, marrja e jetës së një të pafajshmi është barazuar me vrasjen e të gjithë njerëzve. Është thënë gjithashtu se të bëhesh shkak për ringjalljen e një jete është si të ringjallësh të gjithë njerëzit. Kur çështja e Kurayzës shikohet në dritën e dispozitave të Kuranit, lehtësisht mund të kuptohet se është një rrëfim i pavërtetë.
”Kushdo që vret një njeri, pa qenë kundrejt një njeriu tjetër ose kundrejt një trazire në tokë (padrejtësisht), është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe kushdo që e ringjall atë (duke penguar vrasjen e tij), është sikur të ketë ringjallur të gjithë njerëzit…” (Surja Al-Ma'ida, 32)