A ishte Përmbytja e Nuhut një fatkeqësi lokale?
Ata që mohojnë ekzistencën e Përmbytjes së Nuhut, si provë për këto pretendime të tyre thonë se ekzistenca e një përmbytjeje në shkallë botërore është e pamundur. Përveç kësaj, pretendimin se një përmbytje e tillë nuk ka ndodhur e paraqesin edhe me qëllim që t’u shërbejë si arsye për mohimin e tyre.
Megjithatë, në Kuranin Kerim, i cili është i vetmi libër i shenjtë i zbritur nga Allahu dhe i pashtrembëruar, ngjarja e Përmbytjes tregohet shumë më ndryshe nga legjendat e Përmbytjes që përmenden në Teurat dhe në kultura të ndryshme. Teurati i Shtrembëruar, që përbën pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër, thotë se kjo përmbytje ishte universale dhe se përfshiu gjithë botën. Megjithatë në Kuran nuk jepet një informacion i tillë, përkundrazi, nga ajetet përkatëse kuptohet se Përmbytja ishte lokale dhe se u ndëshkua jo gjithë bota, por Populli i Nuhut, i paralajmëruar-frikësuar nga Pejgamberi Nuh.
Kur shikohen rrëfimet e Përmbytjes në Teurat dhe në Kuran, ky ndryshim mund të shihet lehtësisht. Teurati, që gjatë historisë i është nënshtruar shtrembërimeve dhe shtesave të ndryshme, fillimin e Përmbytjes e shpjegon kështu:
Dhe Zoti pa se mbi tokë e keqja e njeriut ishte e shumtë, dhe çdo ditë mendimet dhe trillimet e zemrës së tij ishin vetëm të këqija. Dhe Zoti u pendua që e kishte bërë njeriun mbi tokë, dhe ndjeu dhimbje në zemrën e Tij. Dhe Zoti tha: Njeriun që krijova, dhe kafshët, zvarranikët dhe shpendët e qiejve do t’i fshij nga faqja e dheut; sepse u pendova që i bëra. Por Nuhu gjeti hir në sytë e Zotit. (Zanafilla, 6:5-8)
Megjithatë në Kuran njoftohet se u shkatërrua jo gjithë bota, por vetëm Populli i Nuhut. Ashtu si Pejgamberi Hud, i dërguar te Populli i Adit (Surja Hud, 50), ose Pejgamberi Salih, i dërguar te Populli i Themudit (Surja Hud, 61), dhe profetët e tjerë, edhe Pejgamberi Nuh u dërgua vetëm te populli i vet dhe edhe Përmbytja e zhduku Popullin e Nuhut:
Betohem se Ne e dërguam Nuhun te Populli i tij. (Atyre) ‘Unë për ju jam vetëm një paralajmërues- frikësues i qartë. Mos i shërbeni askujt tjetër përveç Allahut. Unë kam frikë për ju nga dënimi i një dite të dhembshme (që do të vijë)’ u tha. (Surja Hud, 25-26)
Ata që u shkatërruan janë populli që nuk e dëgjoi kumtimin e Pejgamberit Nuh dhe që këmbënguli në rebelim. Ajetet për këtë çështje janë shpjeguar me një rrëfim të prerë:
E përgënjeshtruan. Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije, ndërsa ata që i konsideruan të rreme ajetet Tona i mbytëm-në-ujë. Sepse ata ishin një popull i verbër. (Surja Al-A'raf, 64)
Kështu e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të me një mëshirë nga ana Jonë. Edhe ata që, duke i konsideruar të rreme ajetet Tona, nuk besuan, ua thamë rrënjën. (Surja Al-A'raf, 72)
Përveç kësaj, në Kuran Allahu njofton se, për sa kohë që nuk i është dërguar një i dërguar një populli, ai popull nuk do të shkatërrohet. Që të ketë shkatërrim, duhet që te populli të ketë ardhur një paralajmërues frikësues dhe që ky paralajmërues të jetë përgënjeshtruar. Në Suren Al-Kasas Allahu urdhëron kështu:
Zoti yt, pa dërguar në ‘qendrat kryesore të banimit’ një të dërguar që t’ua lexojë ajetet Tona, nuk është shkatërrues i qyteteve. Dhe Ne nuk jemi shkatërrues të qyteteve të tjera, përveç atyre banorët e të cilëve bëjnë zullum. (Surja Al-Kasas, 59)
Në Kuran njoftohet se një popull të cilit nuk i është dërguar paralajmërues nuk do të shkatërrohet. Ndërsa Pejgamberi Nuh, i cili është një paralajmërues, u dërgua vetëm te populli i vet. Për këtë arsye Allahu nuk i shkatërroi popujt të cilëve nuk u ishte dërguar paralajmërues, por vetëm Popullin e Pejgamberit Nuh.
Nga këto shprehje në Kuran kuptohet se Përmbytja e Nuhut nuk ishte një që mbuloi gjithë botën, por një katastrofë lokale. Përveç kësaj, edhe gërmimet e bëra në zonën arkeologjike ku mendohet se ndodhi Përmbytja -të cilat do t’i shqyrtojmë pak më poshtë- tregojnë se Përmbytja nuk ishte një ngjarje universale që mbuloi gjithë botën, por një fatkeqësi shumë e gjerë që e përfshiu nën ndikimin e saj një pjesë të Mesopotamisë.
Në Kuranin Kerim njoftohet se pas përmbytjes anija u ul mbi “Cudi”. Kjo fjalë, që do të thotë vend i begatë, pjellor, është shumë e rëndësishme për studiuesit e përmbytjes, sepse është tregues si për faktin që përmbytja ishte rajonale, ashtu edhe për faktin që vendi ku qëndroi anija nuk ishte një mal shumë i lartë si mali Ağrı. Cudi duhet të jetë një vend ku mund të banohej pas përmbytjes, i përshtatshëm për bujqësi, ku ka pellgje uji dhe që përmban çdo lloj kushti banimi.
A u morën në anije të gjitha kafshët?
Komentuesit e Librit të Shenjtë besojnë se Pejgamberi Nuh mori në anije të gjitha llojet e kafshëve mbi tokë dhe se brezi i kafshëve shpëtoi nga zhdukja falë Pejgamberit Nuh. Sipas këtij besimi, të gjitha kafshët mbi tokë u mblodhën dhe u vendosën në anije.
Ata që e mbrojnë këtë pretendim sigurisht bien në gjendje shumë të vështirë nga shumë anë. Natyrisht nuk është e mundur t’u përgjigjesh pyetjeve të tilla, si ushqeheshin llojet e kafshëve të marra në anije, si stivoheshin në anije, si izoloheshin nga njëra-tjetra. Për më tepër, kureshtje ngjall edhe se si u mblodhën kafshët karakteristike të kontinenteve të ndryshme; si gjitarët e poleve, kangurët në Australi ose bizonët karakteristikë të Amerikës. Përveç kësaj, njëra pas tjetrës vijnë edhe pyetje të tilla, si u kapën ato helmuese si gjarpri e akrepi, jashtëzakonisht të rrezikshme për njeriun, dhe kafshët e egra, si u mbajtën ato gjallë deri te Përmbytja jashtë mjedisit të tyre natyror.
Por këto janë shpjegime që gjenden në Teuratin e shtrembëruar dhe për të cilat nuk mund të jepet sqarim. Ndërsa në Kuran nuk ka asnjë shpjegim se të gjitha llojet e kafshëve mbi tokë u morën në anije. Siç e theksuam më parë, Përmbytja ndodhi në një rajon të caktuar. Për këtë arsye kafshët e marra në anije duhet të jenë ato që jetonin në rajonin ku ndodhej Populli i Nuhut.
Por është e qartë se nuk është e mundur të bashkohen as të gjitha llojet e kafshëve që jetonin vetëm në atë rajon. Është e vështirë të mendohet edhe se Pejgamberi Nuh dhe besimtarët, për të cilët theksohet se ishin shumë pak në numër (Surja Hud, 40), mblodhën çifte nga qindra llojet e kafshëve përreth tyre. Nga kafshët e rajonit ku jetonin nuk është e mundur të mblidhen as vetëm llojet e insekteve; madje duke bërë dallimin mashkull femër! Për këtë arsye mund të mendohet se kafshët e mbledhura ishin kafshë shtëpiake që mund të kapeshin e të mbroheshin lehtësisht dhe që sidomos u sjellin dobi njerëzve. Sipas kësaj, Pejgamberi Nuh ndoshta, mund të ketë marrë në anije lopë, dele, kuaj, pula, gjela, deve dhe kafshë të ngjashme. Sepse këto janë kafshët themelore të nevojshme për jetën e re që do të ngrihej në rajonin që për shkak të Përmbytjes e kishte humbur në masë të madhe gjallërinë e vet.
Pika e rëndësishme këtu është kjo: një nga mençuritë në urdhrin për mbledhjen e kafshëve që Allahu i dha Pejgamberit Nuh mund të jetë jo aq ruajtja e brezit të kafshëve, sesa mbledhja e kafshëve të nevojshme për jetën e re që do të ngrihej pas Përmbytjes. Sepse, meqë Përmbytja ishte lokale, nuk mund të bëhet fjalë për shuarjen e racave të kafshëve. Sidoqoftë, pas Përmbytjes, me kohë kafshë nga rajonet e tjera do të shpërngulen në këtë rajon dhe do ta kthejnë rajonin në gjallërinë e dikurshme. E rëndësishme është jeta që do të ngrihet në rajon menjëherë pas Përmbytjes dhe kafshët e mbledhura duhet të jenë mbledhur kryesisht për këtë qëllim.
Sa u ngritën ujërat?
Një debat tjetër për Përmbytjen ka të bëjë me atë nëse ujërat u ngritën aq sa të mbulonin malet apo jo. Siç dihet, në Kuran njoftohet se pas Përmbytjes anija u ul mbi “Cudi”. Fjala “Cudi” ndonjëherë merret si emër i veçantë mali, ndërsa në arabisht fjala do të thotë “vend-kodër paksa i lartë”. Rrjedhimisht nuk duhet shpërfillur se në Kuran “Cudi” mund të jetë përdorur jo si emër i veçantë mali, por vetëm për të treguar se anija u ul në një vend paksa të lartë. Përveç kësaj, nga ky kuptim i fjalës cudi mund të nxirret edhe se ujërat arritën një lartësi të caktuar, por gjithsesi nuk u ngritën deri në nivelin e maleve të mëdha. Pra Përmbytja, ashtu siç tregohet në Teurat, nuk e gëlltiti gjithë faqen e dheut dhe të gjitha malet mbi të, por duhet të ketë mbuluar vetëm një rajon të caktuar.
ÇFARË DO TË THOTË FJALA CUDI
U tha: ‘O tokë, gëlltite ujin tënd dhe o qiell, edhe ti ndalu.’ Uji u tërhoq, puna u krye menjëherë, (edhe anija) qëndroi mbi Cudi dhe bashkësisë së zullumqarëve iu tha: ‘Larg qofshin’. (Surja Hud, 44)
Komentuesit tradicionalë të Kuranit janë ndalur në faktin që fjala “Cudi” mund të jetë emër mali dhe kanë kërkuar një mal me emrin Cudi. Duke u nisur nga kjo, kanë thënë se mund të jetë në Hixhaz, në Palestinë dhe në Mesopotaminë Veriore. Më tepër komentuesit e historisë së afërt kanë menduar se kjo fjalë nuk është emër i përveçëm se mund të jetë një emër i përgjithshëm në kuptimin “çfarëdo mali”.
Fjala “Cudi”, që tregon vendin ku u ul anija, nëse pranohet jo si emër i përveçëm por si mbiemër, do të thotë “vend i begatë pjellor”. Që fjala të kuptohet më shumë me këtë kuptim sesa si emër vendi është më në përputhje me rrëfimin në Kuran, Pejgamberi Nuh (as) për vendin ku donte të ulej anija e tij bën këtë lutje: “Dhe thuaj: “Zoti im, më zbrit në një konak të bekuar (të begatë), Ti je më i miri i atyre që presin mysafirë.” (Surja Al-Muminun 29)
Pejgamberi Nuh (as) në lutjen e tij deshi të zbriste në një vend të begatë e të bekuar dhe Allahu, që ia pranoi lutjen, e zbriti atë në Cudi –pra në një vend të begatë-. (Surja Hud, 44)
Kuptimi fjalorik i fjalës Cudi rrënja CVD do të thotë “vend i begatë, pjellor, i mirë”. Ndërsa Cudi nga rrënja CUD bëhet mbiemër nisbet. Atëherë përforcohet kuptimi “vend i begatë pjellor, i mirë”, i cili në ajet integrohet me lutjen “munzelen mübareken”. Dy ajetet e plotësojnë njëri-tjetrin. Pra anija e Pejgamberit Nuh (as) pas përmbytjes u zbrit në një vend të begatë e pjellor, ku mund të merreshin me bujqësi dhe të ushqenin kafshët e tyre. Kur këto dy ajete mendohen bashkë, kuptohet se fjala Cudi nuk është emër i përveçëm vendi a mali, por mbiemër nisbet.
Nga kjo kuptohet edhe se vendi ku anija u ul në tokë mund të jetë çfarëdo ngritjeje në rrafshin e brendshëm në pjesën jugore të rrafshit të Mesopotamisë.
Male dhe ngritje që njihen me emrin e përveçëm “Cudi” ka me dhjetëra në Mesopotami, në Iran, në Turqi dhe në shumë vende të tjera. Në vend që të kërkohet një mal me emrin Cudi, të kërkohet në formën që rrjedh nga rrënja “CVD”, pra “ngritje që është vend i begatë, pjellor, një vend i mirë” është më në përputhje me rrëfimin e përgjithshëm në Kuran.
Vendi i Përmbytjes së Nuhut
Si vend ku ndodhi Përmbytja e Nuhut tregohet Rrafshi i Mesopotamisë. Në këtë rajon u ngritën qytetërimet më të vjetra dhe më të zhvilluara të njohura në histori. Përveç kësaj, ky rajon, për shkak se ndodhet në mes të Lumenjve Tigër dhe Eufrat, gjeografikisht përbën një truall të përshtatshëm për një vërshim të madh uji. Një nga shkaqet që e shtuan ndikimin e Përmbytjes, me shumë gjasë, është se këta dy lumenj dolën nga shtretërit e tyre dhe e përfshinë rajonin nën ndikimin e tyre.
Një arsye e dytë që ky rajon pranohet si vendi ku ndodhi Përmbytja është historike. Në regjistrimet e shumë qytetërimeve të rajonit janë nxjerrë në dritë një numër i madh dokumentesh që tregojnë një Përmbytje të përjetuar në të njëjtën periudhë. Këto qytetërime, që u bënë dëshmitare të shkatërrimit të Popullit të Nuhut, duhet të kenë ndier nevojën t’i shënojnë në regjistrimet historike mënyrën e ndodhjes dhe pasojat e kësaj katastrofe. Dihet gjithashtu se shumica e legjendave që tregojnë Përmbytjen janë me origjinë nga Mesopotamia. Më e rëndësishmja janë gjetjet arkeologjike. Këto tregojnë se në këtë rajon ka ndodhur vërtet një vërshim i madh uji. Ky vërshim uji, siç do ta shqyrtojmë në hollësi, u bë shkak që qytetërimi që ndodhej në rajon të ngecte për një kohë. Në gërmimet e bëra, gjurmët e qarta të një katastrofe kaq të madhe u nxorën nga nën dheu.
Sipas asaj që kuptohet nga gërmimet e bëra në rajonin e Mesopotamisë, ky rajon gjatë historisë shumë herë është përballur me katastrofa të shkaktuara nga vërshimet dhe nga dalja nga shtrati e Lumenjve Tigër, Eufrat. Për shembull, një vit në kohën e Ibbisit, sundimtar i qytetit të madh të Urit, që ndodhej rreth vitit 2000 p.e.s. pikërisht në pjesën jugore të Mesopotamisë, përshkruhet si “pas një Përmbytjeje që zhduk kufijtë midis qiellit dhe tokës”1. Rreth viteve 1700 p.e.s., në kohën e Hamurabit të Babilonisë, një vit përshkruhet edhe me ngjarjen “shkatërrimi i qytetit Eshnuna nga një vërshim”.
Në shekullin e 10-të p.e.s., në kohën e sundimtarit Nabumukinapal, në qytetin e Babilonisë ndodhi një vërshim uji.2 Edhe në shekujt e 7-të, 8-të, 10-të, 11-të dhe 12-të pas Krishtit në rajon ndodhën vërshime të rëndësishme uji. Në shekullin e 20-të, në vitet 1925, 1930 dhe 1954 ndodhi edhe kjo.3 Ajo që kuptohet është se rajoni është gjithmonë i hapur ndaj një katastrofe vërshimi dhe, siç theksohet në Kuran, është qartësisht e mundur që një vërshim në shkallë të madhe ta zhdukë një popull të tërë.
KU JETOI NUHU (AS)
Nuhu: “Zoti im, vërtet ata m’u rebeluan mua; ndoqën ata të cilëve pasuria dhe fëmijët nuk u shtuan asgjë tjetër veç dëmit. Dhe ngritën kurthe-mashtrimi shumë të mëdha. “Dhe thanë: Mos i lini zotat tuaj; mos i lini as Veddin, as Suvanë, as Yeğusin, as Ye’ukun e as Nesrin. Kështu ata shumë njerëz i hutuan-devijuan. Edhe Ti zullumqarëve mos u shto asgjë tjetër përveç humbjes.” (Surja Nuh, 21-24)
Pasi u kuptua se emrat Vedd, Suva, Yeğus, Ye’uk dhe Nesr përfaqësojnë zotat e rremë të popujve mesopotamianë dhe se këta emra simbolizojnë diellin, hënën dhe yjet, u kuptua se Pejgamberi Nuh (as) jetoi në Mesopotami dhe se përmbytja ndodhi po në këtë vend. (Maria Höfner, “Die vorislamische Religionen Arabiens” Die Religionen Altsyriens, Altarabiens und der Mandaer, von Hartmut Gese, Maria Höfner, Kurt Rudolph, Stuttgart 1970)
Pasi si rezultat i kërkimeve arkeologjike të bëra u kuptua edhe se përmbytja ndodhi në Mesopotami, u qartësua se idhujt, emrat e të cilëve u përmendën më lart, dhe bashkësitë idhujtare që i adhuronin ata jetonin këtu. Kuptohet se edhe Pejgamberi Nuh (as), kur erdhi si paralajmërues për këto bashkësi idhujtare, pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në këtë rajon dhe se përmbytja ndodhi këtu.
Provat arkeologjike të Përmbytjes
Është mjaft tërheqëse që sot hasen gjurmët e shumë prej popujve për të cilët në Kuran lajmërohet se u shkatërruan. Nga të dhënat arkeologjike kuptohet se sa më e papritur të jetë zhdukja e një populli, aq më i madh është edhe shansi për të gjetur prova që i përkasin atij.
Në rastin kur një qytetërim zhduket befas -që mund të jetë pasojë e një katastrofe natyrore, e një shpërnguljeje të papritur ose e një lufte- gjurmët e këtij qytetërimi ruhen shumë më mirë. Shtëpitë në të cilat jetojnë njerëzit dhe sendet që përdorin në jetën e përditshme varrosen nën dhé brenda një kohe të shkurtër. Kështu këto ruhen për një kohë mjaft të gjatë pa i prekur dora e njeriut dhe me nxjerrjen e tyre në dritë ofrojnë të dhëna të rëndësishme për jetën e së kaluarës.
Pikërisht në këtë mënyrë ndodhi që shumë prova lidhur me Përmbytjen e Nuhut të nxirren në dritë sot. Përmbytja, që mendohet se ka ndodhur rreth viteve 3000 p.e.s., e zhduku në një çast një qytetërim të tërë dhe bëri që në vend të tij të ngrihej një qytetërim krejtësisht i ri. Kështu provat e qarta të Përmbytjes u ruajtën gjatë mijëra vjetëve që ne të marrim mësim.
Ka shumë gërmime të bëra për të hulumtuar Përmbytjen që e përfshiu nën ndikimin e saj Rrafshin e Mesopotamisë. Në gërmimet e bëra në rajon, kryesisht në katër qytete janë hasur gjurmët e një katastrofe vërshimi që mund të ketë ndodhur si pasojë e një përmbytjeje të madhe. Këto qytete janë Ur, Uruk, Kish dhe Shurupak, qytete të rëndësishme të Rrafshit të Mesopotamisë. Gërmimet e bëra në këto qytete tregojnë se të gjitha ato iu nënshtruan një vërshimi rreth viteve 3000 p.e.s. Le të trajtojmë së pari gërmimet e bëra në qytetin e Urit.
Më i vjetri nga mbetjet e qytetërimit të gjetura në gërmimet e bëra në qytetin e Urit, që sot quhet Tel-El Muhajer, shkon deri në vitet 7000 p.e.s. Qyteti i Urit, që është një nga vendet ku njerëzit ngritën qytetërimin e parë, gjatë historisë ka qenë një zonë banimi ku shumë qytetërime kaluan njëri pas tjetrit.
Gjetjet arkeologjike të nxjerra në dritë në gërmimet e bëra në qytetin e Urit tregojnë se qytetërimi këtu u ndërpre në fund të një katastrofe shumë të madhe vërshimi, se më pas me kohë filluan të shfaqen sërish qytetërime të reja. Personi që bëri gërmimin e parë në këtë rajon është R. H. Hall nga British Museum. Leonard Woolley, që pas Hall-it mori detyrën e drejtimit të gërmimit, drejtoi edhe një punë gërmimi të kryer bashkërisht nga British Museum dhe Universiteti i Pensilvanisë. Punimet e gërmimit të drejtuara nga Woolley, që krijuan sensacion të madh në shkallë botërore, vazhduan nga viti 1922 deri në vitin 1934.
Gërmimet e Sir Woolley-t u kryen në mes të shkretëtirës midis Bagdadit dhe Gjirit të Basrës. Themeluesit e parë të qytetit të Urit ishin një popull që kishte ardhur nga Mesopotamia Veriore dhe që e quante veten “Ubaidyen”. Për të marrë informacione për këtë popull nisën gërmime të hollësishme. Në revistën Reader’s Digest gërmimet e Woolley-t tregohen kështu:
Në zonën e gërmimit, sa më thellë zbritej, nxirrej në dritë një gjetje shumë e rëndësishme; ky ishte varreza e mbretërve të qytetit të Urit. Në këtë varrezë ku ishin varrosur mbretërit dhe fisnikët sumerë, studiuesit hasën shumë vepra arti legjendare. Përkrenare, shpata, instrumente muzikore, vepra arti të punuara nga ari dhe gurë të çmuar. Kishte edhe gjëra të tjera shumë më të rëndësishme se këto; regjistrime historike të presuara në pllaka argjile me një mjeshtëri e aftësi mahnitëse, me një teknikë të lartë.
Studiuesit gjetën në Ur shkrime që mbanin të njëjtët emra si në listat e mbretërve, madje mes tyre hasën edhe emrin e personit që themeloi familjen e parë mbretërore të Urit. Woolley arriti në përfundimin se varreza filloi para Dinastisë së parë të Urit. Për këtë arsye arriti në përfundimin se një qytetërim jashtëzakonisht i zhvilluar ekzistonte para dinastisë së parë.
Pas shqyrtimit të plotë të provës, Woolley vendosi ta çonte gërmimin më thellë, drejt poshtë varreve. Punëtorët u futën rreth një metër në thellësi brenda tullave të bëra baltë dhe filluan të nxirrnin enë e poçe. “Dhe pastaj befas çdo gjë u ndal.” Kështu shkruante Woolley. “Nuk kishte më as enë, as poçe, as hi, vetëm baltë e pastër e sjellë nga uji.”
Woolley vazhdoi gërmimin, duke kaluar nëpër një shtresë argjile të pastër rreth dy metra e gjysmë u fut në thellësi dhe pastaj befas punëtorët hasën vegla prej guri smeril dhe copa enësh e poçesh të bëra nga njerëzit e kësaj periudhe, të cilën historianët e quajnë kultura e Epokës së fundit të Gurit. Kur balta u pastrua mirë, doli në dritë një qytetërim që kishte mbetur poshtë saj. Kjo gjendje tregonte se në rajon kishte ndodhur një vërshim i madh uji. Përveç kësaj, analiza mikroskopike tregonte se një shtresë e trashë argjile e pastër ishte grumbulluar këtu nga një përmbytje aq e madhe sa të shkatërronte qytetërimin e lashtë sumer. Eposi i Gilgameshit dhe historia e Nuhut po bashkoheshin në një burim të përbashkët në një pus të gërmuar në Shkretëtirën e Mesopotamisë.
Përveç kësaj, Max Mallowan i përcillte kështu mendimet e Leonard Woolley-t, që drejtonte gërmimin:
Woolley, duke theksuar se një masë kaq e madhe argjile e formuar në një periudhë të vetme kohore mund të jetë vetëm pasojë e një katastrofe shumë të madhe vërshimi; shtresën e vërshimit që ndan Urin sumer nga qyteti i themeluar nga populli i Al-Ubaidit që përdorte enë e poçe të pikturuara, e përkufizoi si mbetjet e Përmbytjes legjendare.
Këto të dhëna tregonin se një nga vendet që i preku Përmbytja ishte qyteti i Urit. Edhe arkeologu gjerman Werner Keller e kishte shprehur kështu rëndësinë e gërmimit në fjalë: “Nxjerrja e mbetjeve të qytetit nga poshtë një shtrese balte në gërmimet arkeologjike të bëra në Mesopotami provoi se këtu kishte një vërshim.”