Sipas Kuranit Dënimi i Atij që Kthehet nga Feja Nuk Është Vdekja
Personi që kthehet nga feja e tij quhet mürted. Në kuptimin ortodoks të Islamit dënimi i atij që kthehet nga feja e tij është vdekja. Për këtë zbatim jashtë Kuranit, ata sjellin si provë të ashtuquajturin hadith “Vriteni atë që e ndërron fenë e tij” (Buhârî, Cihâd, 149). Por çështjet e gjykimit, farzet, haramet, dënimet… mësohen vetëm nga Kurani. Fjala që nuk ka përgjegjëse në Kuran ose që bie në kundërshtim me Kuranin nuk i përket Pejgamberit tonë.
Allahu, në bazë të ajetit “…Në gjykimin e Tij nuk e bën askënd ortak.” (Surja Al-Kehf 26), nuk i ka dhënë Pejgamberit ndonjë autoritet në çështjen e gjykimit. ”Gjykimi është vetëm i Allahut…” (Surja Jusuf, 40) Edhe Allahu, Zotëruesi i gjykimit, në Kuran nuk ka njoftuar ndonjë dënim të kësaj bote për atë që kthehet nga feja e tij.
Kurani ka një qasje tolerante ndaj çdo mendimi dhe besimi. ”Në fe nuk ka detyrim (dhe shtypje).” (Surja Al-Bakara, 256) Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrim dhe shtypje mbi atë që nuk mendon si ai. Kush të dojë është i lirë të besojë atë që do. ”… A do t’i detyrosh ti njerëzit derisa të bëhen besimtarë?” (Surja Junus, 99) Siç kuptohet edhe nga ky ajet, t’i detyrosh njerëzit që të besojnë nuk është një qëndrim i pëlqyer në Islam. ”Atëherë, nëse ‘këshilla dhe përkujtimi’ sjell ndonjë dobi, këshillo dhe përkujto.” (Surja Al-A'la, 9) Ndërsa nëse nuk sjell dobi, thoni “Feja juaj për ju, feja ime për mua.” (Surja Al-Kafirun, 6) dhe vazhdoni rrugën.
… Kush nga ju kthehet nga feja e tij dhe vdes si mosbesimtar, atëherë të gjitha ato që kanë bërë (veprat e tyre) kanë shkuar kot si në këtë botë ashtu edhe në ahiret dhe ata janë banorët e zjarrit, do të qëndrojnë aty pa afat. (Surja Al-Bakara, 217) Siç kuptohet edhe nga ajeti, nëse njerëzit kthehen nga feja e tyre, kjo është zgjedhja e tyre. Në këtë botë jetojnë zgjedhjet e tyre dhe një ditë vdesin. Veprat që kanë bërë para se të ktheheshin nga feja u shkojnë kot dhe llogaria e tyre mbetet për në ahiret. Në këtë botë nuk zbatohet asnjë dënim apo sanksion.
E vërteta është kjo, ata që besojnë e pastaj devijojnë në mohim, pastaj besojnë përsëri e pastaj devijojnë në mohim, e pastaj mohimi i tyre shtohet, Allahu nuk do t’i falë ata… (Surja An-Nisa, 137) Nëse e lexoni me kujdes ajetin, bëhet fjalë për disa që besojnë e pastaj devijojnë. Këta persona, pasi devijuan në mohim, nuk u vranë. Pastaj besuan përsëri. Dhe devijuan përsëri në mohim. Për këtë proces dhe për më pas Allahu nuk ka vendosur asnjë sanksion penal.
Kush e vret një nefs, pa qenë kundërpërgjigje për një nefs tjetër ose për një ngatërresë në tokë (pa të drejtë), është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. (Surja Al-Maide, 32) Gjykimi i ajetit është shumë i qartë. Përveç kisasit dhe gjendjes së luftës nuk ka gjykim në çështjen e vdekjes. Përkundrazi, nëse dikush ka vrarë tjetrin me një qëllim përveç kisasit dhe gjendjes së luftës, kjo është barazuar me vrasjen e të gjithë njerëzve. Dëmi i personit që devijon pas besimit është për veten e tij. Dhe të vrasësh dikë vetëm sepse e ka ndryshuar besimin e tij, është humbje për atë që vret. Allahu e sheh të bukur jo vrasjen, por ngjalljen. Nuk i pëlqen ata që e tejkalojnë masën dhe e kapërcejnë kufirin…
E kush e ngjall atë (duke e penguar vrasjen e tij), është sikur të ketë ngjallur të gjithë njerëzit. Betohem, të dërguarit Tanë u kanë ardhur atyre me dëshmi të qarta. Pastaj, pas kësaj, shumë prej tyre janë ata që e tejkalojnë masën në tokë. (Surja Al-Maide, 32)