Me kë është e ndaluar martesa sipas Kuranit ?
Pretendimi:
Sipas pretendimit të personave të pasinqertë armiq të Kuranit, në ajetin 23 të sures An-Nisa është përcaktuar një nga një dhe me hollësi se me kë nuk mund të martohet një burrë. Janë dhënë aq shumë hollësi, sa janë numëruar edhe nëna dhe vajza e tij, me të cilat burri gjithsesi nuk do të martohej në asnjë kusht. Që midis gjithë atyre të numëruarve të mos numërohen (!) nipi/mbesa, gjyshja nga babai dhe gjyshja nga nëna, është për t’u habitur. Kjo gjendje është provë se Kurani ose është i mangët, ose jep një liri në kundërshtim me moralin. (Zoti na ruajt)
Përgjigjja:
Një tjetër nga lojërat e thjeshta të personave, që e kanë marrë për detyrë të gjejnë kontradikta dhe gabime në Kuranin që Krijuesi ynë e dërgoi për të rregulluar lumturinë tonë në këtë botë dhe në ahiret, të drejtuara për të krijuar konfuzion veçanërisht te të rinjtë që nuk e dinë gjuhën arabe…
Në fakt, pretendimi, është bërë aq absurd dhe me qëllim të keq, sa nuk është i denjë për t’iu përgjigjur. Por vetëm që njerëzit të mos mashtrohen në këtë mënyrë, jemi të detyruar të përgjigjemi.
Së pari le të shkruajmë përkthimin e ajetit që i përket temës sonë.
Përkthimi i ajetit 23 të sures An-Nisa
Juve ju është bërë haram martesa me këto: nënat tuaja, vajzat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, vajzat e vëllezërve, vajzat e motrave, nënat që ju kanë mëndur, motrat tuaja të qumështit, nënat e bashkëshorteve tuaja, thjeshtrat tuaja që janë në shtëpitë tuaja nga bashkëshortet me të cilat jeni bashkuar. Nëse jeni kurorëzuar me to, por ende nuk jeni bashkuar, nuk ka asnjë pengesë për ju që të merrni vajzat e tyre. Ju është bërë haram edhe të merrni bashkëshortet e bijve tuaj që janë nga kurrizi juaj dhe dy motra njëherësh. Përveç asaj që shkoi e kaloi. Allahu është shumë falës; mëshirues.
Siç shihet shumë qartë, pretendimi i parashtruar më lart nuk është gjë tjetër veçse një shtrembërim i plotë!
Edhe ata që e kanë hedhur këtë e dinë shumë mirë se me fjalën “Nënat tuaja dhe Vajzat tuaja” në Kuran synohet si nëna dhe vajza e vetë personit, ashtu edhe nënat dhe vajzat e tyre, pra e gjithë prejardhja e sipërme.
Edhe në ajetin 22 të sures An-Nisa
është thënë: “Mos u martoni me gratë me të cilat janë martuar baballarët tuaj”.
Kjo, ashtu si përfshin gratë me të cilat është martuar babai i vetë personit, përfshin edhe gratë me të cilat është martuar gjyshi i tij. Sipas kësaj, edhe gjyshja e tij nga babai, me të cilën është martuar gjyshi i tij, hyn në kategorinë e grave me të cilat martesa është haram…
Është shumë e qartë se mbajtësit e pretendimeve të hedhura vetëm me qëllim për të turbulluar mendjen e atyre që nuk e dinë këtë veçori të arabishtes, nuk janë të sinqertë dhe këtë e bëjnë me armiqësi ndaj Kuranit…