Kthehu te udhëzuesi
AZTRENDEFRESNLRUITSQBSROKYDA

Dija në Kuran se malet janë edhe të palëvizshme edhe zhvendosen

Të qenit e palëvizshme të maleve

Në Kuran tërhiqet vëmendja te një funksion i rëndësishëm gjeologjik i maleve:

وَجَعَلْنَا فِى ٱلْأَرْضِ رَوَٰسِىَ أَن تَمِيدَ بِهِمْ وَجَعَلْنَا فِيهَا فِجَاجًا سُبُلًا لَّعَلَّهُمْ يَهْتَدُونَ

Në tokë, që të mos i tronditë ata, krijuam male të palëvizshme… (Surja Al-Enbija, 31)

Nëse vihet re, në ajet njoftohet se malet kanë cilësinë e parandalimit të tronditjeve në tokë. Kjo e vërtetë, e panjohur nga asnjë njeri në periudhën kur u zbrit Kurani, sot është nxjerrë në dritë si rezultat i gjetjeve të gjeologjisë moderne.

Dikur mendohej se malet janë vetëm ngritje që mbeten në sipërfaqen e tokës. Por shkencëtarët vunë re se malet nuk janë vetëm ngritje sipërfaqësore, se me pjesët e tyre që quhen rrënjë mali shtrihen nganjëherë deri në 10-15 herë sa lartësia e tyre drejt nëntokës. Me këto cilësi, malet kanë një rol të ngjashëm me atë të një gozhde ose kunji që e lidh fort çadrën me tokën. Për shembull, Mali Everest, maja e të cilit është rreth 9 km mbi sipërfaqen e tokës, ka mbi 125 km rrënjë. (1)

Përveç kësaj, malet formohen si rezultat i lëvizjeve dhe përplasjeve të shtresave shumë të mëdha që përbëjnë koren e tokës. Kur dy shtresa përplasen, ajo që është më rezistente hyn poshtë tjetrës. Shtresa që mbetet sipër përkulet e ngrihet dhe formon malet. Ndërsa shtresa që mbetet poshtë, duke përparuar nën tokë, formon një zgjatim të thellë drejt poshtë. Prandaj, siç e theksuam edhe më parë, malet, po aq sa masat që shohim në sipërfaqen e tokës, kanë edhe një zgjatim të thellë që përparon drejt nëntokës.

Prof. Siaveda, një nga gjeologët nënujorë me famë botërore, duke folur se malet janë të ngulura në tokë në formë rrënjësh, ka bërë një koment të tillë:

Dallimi themelor midis maleve në kontinente dhe maleve në oqeane është në materialin e tyre… Por të dyja kanë rrënjë që i mbështesin malet. Te malet në kontinente, lënda e lehtë dhe me dendësi të vogël shtrihet si rrënjë drejt brendësisë së tokës. Edhe te malet në oqeane ka lëndë të lehtë që e mbështet malin si rrënjë… Funksioni i rrënjëve është t’i mbështesë malet sipas ligjit të Arkimedit. (2)

Gjithashtu, në librin me titull Earth (Toka) të ish-Presidentit të Akademisë Amerikane të Shkencave, Frank Press, që mësohet si tekst mësimor në shumë universitete në mbarë botën, shprehet se malet janë në formë kunji dhe se janë të groposura thellë në tokë. (3)

Në ajete të tjera të Kuranit, këtij funksioni të maleve i bëhet kështu aluzion, duke përdorur krahasimin me “kunj”:

أَلَمْ نَجْعَلِ ٱلْأَرْضَ مِهَٰدًا وَٱلْجِبَالَ أَوْتَادًا

A nuk e bëmë Ne tokën një shtrat? Edhe malet nga një kunj? (Surja An-Nebe, 6-7)

Sërish në një ajet tjetër Allahu njofton në këtë formë: “Malet e saj i nguli dhe i vendosi” (Surja An-Naziat, 32). Fjala “ersayha” që gjendet në këtë ajet ka kuptimet “i bëri me rrënjë, i bëri të palëvizshme, i ankoroi, i nguli në tokë”. Falë këtyre cilësive, malet, duke u shtrirë mbi tokë dhe nën tokë në pikat e bashkimit të shtresave të tokës, i kapin këto shtresa me njëra-tjetrën si me thumba. Në këtë mënyrë, duke e bërë të palëvizshme koren e tokës, e pengojnë atë të rrëshqasë mbi shtresën e magmës ose midis shtresave të veta. Shkurt, malet mund t’i krahasojmë me gozhdët që i mbajnë dërrasat bashkë.

Siç shihet, një funksion shumë jetik i maleve, i zbuluar si rezultat i kërkimeve moderne gjeologjike dhe sizmike, është dhënë shekuj më parë në Kuranin Fisnik të zbritur, si shembull i mençurisë së lartë në krijimin e Allahut. Në një ajet thuhet kështu:

خَلَقَ ٱلسَّمَٰوَٰتِ بِغَيْرِ عَمَدٍ تَرَوْنَهَا وَأَلْقَىٰ فِى ٱلْأَرْضِ رَوَٰسِىَ أَن تَمِيدَ بِكُمْ وَبَثَّ فِيهَا مِن كُلِّ دَآبَّةٍ وَأَنزَلْنَا مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءً فَأَنۢبَتْنَا فِيهَا مِن كُلِّ زَوْجٍ كَرِيمٍ

… Edhe në tokë la male të patundshme, që të mos ju shkaktojë tronditje… (Surja Lukman, 10)

Zhvendosja e maleve

وَتَرَى ٱلْجِبَالَ تَحْسَبُهَا جَامِدَةً وَهِىَ تَمُرُّ مَرَّ ٱلسَّحَابِ صُنْعَ ٱللَّهِ ٱلَّذِىٓ أَتْقَنَ كُلَّ شَىْءٍ إِنَّهُۥ خَبِيرٌۢ بِمَا تَفْعَلُونَ

Malet i sheh dhe i kujton të ngrira; ndërsa ato zhvendosen ashtu si zhvendosen retë… (Surja An-Neml, 88)

Kjo lëvizje e maleve vjen nga lëvizja e kores së tokës mbi të cilën ndodhen. Korja e tokës lëviz thuajse duke notuar mbi shtresën e mantelit, që është më e dendur se ajo. Për herë të parë në fillim të shekullit të 20-të, një shkencëtar gjerman me emrin Alfred Wegener kishte parashtruar se kontinentet në tokë ishin bashkë në periudhat e para të Tokës dhe më pas, duke u zhvendosur në drejtime të ndryshme, u ndanë dhe u larguan nga njëri-tjetri.

Por gjeologët mundën ta kuptojnë se Wegener kishte të drejtë 50 vjet pas vdekjes së tij, pra në vitet 1980. Siç e kishte theksuar Wegener në një artikull të botuar në vitin 1915; pjesët e tokës në sipërfaqen e Tokës para rreth 500 milionë vjetësh ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe kjo pjesë e madhe toke e quajtur Pangaea ndodhej në Polin e Jugut. Para rreth 180 milionë vjetësh Pangaea u nda më dysh. E para nga këto dy kontinente gjigante, që u zhvendosën në drejtime të ndryshme, ishte Gondwana, që përfshinte Afrikën, Australinë, Antarktidën dhe Indinë. E dyta ishte Laurasia, e përbërë nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia pa Indinë. Në kohë të ndryshme gjatë rreth 150 milionë vjetëve që pasuan këtë ndarje, Gondwana dhe Laurasia u ndanë në pjesë më të vogla.

Ja, këto kontinente që dolën me copëtimin e Pangaeas, duke ndryshuar vazhdimisht shpërndarjen midis tokës dhe detit, zhvendosen në sipërfaqen e Tokës me shpejtësi prej disa centimetrash në vit.

Kjo lëvizje e kores së tokës, e zbuluar si rezultat i kërkimeve gjeologjike të bëra në fillim të shekullit të 20-të, në burimet shkencore shpjegohet kështu:

Sipërfaqja e Tokës me trashësi 100 km, e përbërë nga korja e tokës dhe manteli i sipërm, përbëhet nga pjesë të quajtura “shtresë”. Ekzistojnë gjashtë shtresa të mëdha dhe shtresa të vogla të panumërta që përbëjnë sipërfaqen e Tokës. Sipas teorisë së quajtur “tektonika e shtresave”, këto shtresa lëvizin mbi Tokë duke mbartur bashkë me to edhe kontinentet dhe fundin e oqeaneve… Është llogaritur se lëvizja kontinentale është rreth 1 deri në 5 cm në vit. Ndërsa shtresat lëvizin në këtë mënyrë, ndodhin ndryshime në gjeografinë e Tokës. Për shembull, Oqeani Atlantik zgjerohet edhe pak çdo vit. (4)

Një pikë e rëndësishme që duhet theksuar këtu është kjo: Allahu e ka njoftuar lëvizjen e maleve në ajet si “zhvendosje”. Madje termi anglisht që shkencëtarët përdorin sot për këtë lëvizje është “continental drift” pra “zhvendosje kontinentale”. (5)

Rrëshqitja e kontinenteve është një dije që nuk mund të vëzhgohej në periudhën kur u zbrit Kurani dhe Allahu, me shprehjen “malet i sheh dhe i kujton të ngrira” që gjendet në ajet, ka njoftuar paraprakisht se si do ta vlerësojnë njerëzit këtë çështje. Por pas kësaj ka shpjeguar një të vërtetë dhe ka njoftuar se malet zhvendosen ashtu si zhvendosen retë. Siç shihet, në ajet është tërhequr hapur vëmendja te lëvizshmëria e shtresës ku ndodhen malet.

Që kjo e vërtetë shkencore, të cilën shkenca e zbuloi shumë rishtas, të njoftohet në Kuran në shekullin e 7-të, kur mendimet për gjithësinë dhe natyrën mbështeteshin në paragjykime, besime të kota dhe legjenda, është pa dyshim një mrekulli e madhe. Dhe është një provë shumë e rëndësishme se Kurani është fjala e Allahut.

PËRFUNDIM: Malet falë rrënjëve të tyre qëndrojnë të palëvizshme, të ngulura në tokë si gozhdë. Kur i shikojmë, vërtet i shohim të ngrira/të palëvizshme. Por, në një mënyrë që ne nuk mund ta perceptojmë me sy, ato zhvendosen rreth 1 deri në 5 cm në vit, ashtu si zhvendosen retë. Këto dy dije jo vetëm që nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por janë edhe prova të dy mrekullive shkencore që gjenden në Kuran.

Burimet:

1- Nga fjalimi i Prof. Zighloul Raghib El-Naggar.
2- http://www.beconvinced.com/science/QURANMOUNTAIN.htm
3- Frank Press, Raymond Siever, Earth, botimi 3, W. H. Freeman & Company, San Francisco, 1982.
4- Carolyn Sheets, Robert Gardner, Samuel F. Howe, General Science, Allyn & Bacon Inc. Newton, Massachusetts, 1985, f. 305.
5- Powers of Nature, National Geographic Society, Washington D. C., 1978, ff. 12-13.