An-Naba
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Për çka ata i bëjnë pyetje njëri-tjetri? 78:1
Për lajmin e madh e tronditës. 78:2
Në të cilin ata janë në kundërshti. 78:3
Jo, të mos pyesin, sepse ata do ta kuptojnë! 78:4
Përsëri Jo, se ata do ta kuptojnë! 78:5
A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme (për jetë), 78:6
Ndërsa kodrat shtylla? 78:7
Dhe Ne u krijuam juve në çifte. 78:8
Dhe gjumin tuaj ua bëmë për pushim. 78:9
Dhe natën ua bëmë mbulesë (si rrobet). 78:10
Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim. 78:11
Dhe Ne kemi ndërtuar mbi ju një shtatëshe të fortë. 78:12
Dhe kemi vënë ndriçuesin që flakëron. 78:13
Dhe prej reve të shtrydhura kemi lëshuar shi të madh. 78:14
Që me të të rrisim drithëra e bimë. 78:15
Edhe kopshte të dendura palë mbi palë. 78:16
S’ka dyshim se dita e gjykimit është caktuar. 78:17
Është dita që i fryhet surit, e ju vini grupe-grupe. 78:18
Dhe qielli hapet e bëhet dyer-dyer. 78:19
Dhe kodrat shkulen dhe bëhen pluhur (si valë rrezesh). 78:20
E Xhehennemi është në pritë (në pusi). 78:21
Është vendstrehim i arrogantëve. 78:22
Aty do të mbesin për tërë kohën (pa mbarim). 78:23
Aty nuk do të shijojnë as freskim, as ndonjë pije. 78:24
Përveç ujë të valë e kalbësirë. 78:25
Si ndëshkim i merituar. 78:26
Ata ishin që nuk pritnin se do të jepin llogari. 78:27
Dhe argumentet Tona i përgënjeshtruan më këmbëngulje. 78:28
Ndërsa Ne çdo send e kemi ruajtur me shkrim të saktë. 78:29
E ju pra, vuani, se Ne nuk do t’u shtojmë tjetër vetëm se vuajtje. 78:30
S’ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha. 78:31
Kopshte e vreshta rrushi. 78:32
Edhe vasha të një moshe. 78:33
Edhe gota të mbushura plot verë. 78:34
Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota, as gënjeshtra. 78:35
Shpërblime e dhurata të shumta dhënë nga Zoti yt. 78:36
Zoti i qiejve e i tokës, dhe çka ka ndërmjet tyre, që është mëshirues, të cilit nuk kanë të drejtë t’i bëjnë vërejtje. 78:37
Atë ditë Xibrili dhe engjëjt qëndrojnë të rreshtuar, askush nuk flet pos atij që e lejon Mëshiruesi, dhe i cili e thotë të vërtetën. 78:38
Ajo është dita e vërtetë, e kush dëshiron le të kthehet rrugës te Zoti i vet. 78:39
Ne ua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për një dënim të afërt, në ditën kur njeriu (besimtar) shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: “Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhe"! 78:40