Al-Mursalat
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Pasha erërat që fryejnë njëpasnjë (pandërprerë)! 77:1
Që janë shumë të stuhishme e shkaktojnë furtunë. 77:2
Pasha engjëjt që u është besuar shpërndarja e reve dhe që i shpërndajnë. 77:3
Dhe që ndajnë qartë (të vërtetën nga e pavërteta). 77:4
Dhe ata që sjellin shpallje (libra të Zotit, te pejgamberët). 77:5
Si arsyetim ose si vërejtje. 77:6
S’ka dyshim se ajo që premtoheni ka për të ndodh pa tjetër. 77:7
Kur yjet të shuhen. 77:8
Dhe kur qielli të hapet, 77:9
Dhe kur kodrat të copëtohen, 77:10
Dhe kur të dërguarve u është caktuar koha? 77:11
E për cilën ditë atyre u është caktuar koha? 77:12
Për ditën e gjykimit (kur drejtësia e Zotit ndan të mirën nga e keqja). 77:13
E ku e di ti se çka është dita e gjykimit? 77:14
Atë ditë është shkatërrim për ata që përgënjeshtruan. 77:15
A nuk i kemi është shkatërrim Ne popujt më të hershëm? 77:16
Dhe pastaj pas tyre ua shoqëruam të tjerë më të vonshëm. 77:17
Ne ashtu bëjmë me kriminelët. 77:18
Atë ditë është mjerim i madh për ata që përgënjeshtruan. 77:19
A nuk u kemi krijuar juve nga një lëng i dobët? 77:20
Dhe atë e vendosëm në një vend të sigurt. 77:21
Për deri në një kohë të caktuar. 77:22
Dhe Ne bëmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi! 77:23
Atë ditë është shkatërrim për ata që nuk e njohën fuqinë tonë. 77:24
A nuk e bëmë Ne tokën që në gjirin e vet mban, 77:25
Të gjallë dhe të vdekur? 77:26
Dhe në të kemi vënë kodra të forta e të larta dhe ju dhamë të pini ujë që ua shuan etjen. 77:27
Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtruan,. 77:28
(u thuhet) Shkoni te ai (Xhehennemi) që ju e konsuderuat rrenë. 77:29
Shkoni te ajo hije (mjegull) që ka tri degëzime. 77:30
Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës. 77:31
Ai (Xhehennemi) hedh gaca të mëdha si ndonjë kështjellë. 77:32
E që janë si të ishin deve të verdha (shumë të shpejta). 77:33
Atë ditë është shkatërrim për mohuesit. 77:34
Kjo është një ditë që ata nuk flasin. 77:35
Atyre as nuk u lejohet që të arsyetohen. 77:36
Atë ditë, mjerë ata që përgënjeshtruan! 77:37
Kjo është dita e gjykimit, u kemi tubuar juve dhe të mëparshmit. 77:38
Dhe nëse keni ndonjë dredhi, atëherë bëni dredhira! 77:39
Atë ditë është shkatërrim për ata që nuk besuan. 77:40
Dhe, nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije pranë burimeve, 77:41
Dhe kanë pemë çfarë të dëshirojnë. 77:42
Hani e pini shijshëm e me ëndje, për atë e keni vepruar. 77:43
Ne kështu i shpërblejmë mirëbërësit. 77:44
Atë ditë është mjerim për përgënjeshtuesit. 77:45
Ju (jobesimtarë në dynja) hani e kënaquni përpak kohë, sepse vërtet ju jeni rrebelë. 77:46
Atë ditë është mjerim për ata që mohuan të mirat e Zotit. 77:47
Dhe kur atyre u thuhej: “Përkuluni!”, ata nuk përkuleshin. 77:48
Atë ditë është mjerim për ata që përgënjeshtuan. 77:49
Pra, cilës fjale (libër) pas këtij (Kur’anit) i besojnë? 77:50