Al-Qiyamah
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Betohem në ditën e kijametit; 75:1
Betohem në shpirtin që është shumë qortues! 75:2
A mendon njeriu se nuk do t’i tubojmë eshtrat e tij? 75:3
Po, do t’ia tubojmë! Duke qenë se Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij! 75:4
Por, njeriu dëshiron të vazhdojë edhe mëtej në mëkate. 75:5
Andaj edhe pyet: “Kur është dita e kijametit?” 75:6
E, kur të merren sytë (të parët)? 75:7
E të zëhet hëna (errësohet), 75:8
Dhe të bashkohet dielli e hëna. 75:9
Atë ditë njeriu do të thotë: “Nga të iket!” 75:10
Jo, nuk ka strehim! 75:11
Atë ditë vetëm te Zoti yt është caku! 75:12
Atë ditë njeriu do të njihet me atë që çoi para dhe me atë që la prapa. 75:13
Po njeriu është dëshmitar i vetvetes. 75:14
Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta. 75:15
Ti (Muhammed) mos shqipto atë (Kur’anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! 75:16
Sepse Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij! 75:17
E kur ta lexojnë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij. 75:18
Dhe pastaj është obligim i yni që ta shkoqisim atë. 75:19
Jo, nuk është ashtu! Por ju jeni që e doni të ngutshmen (dynjanë). 75:20
Dhe e lini pas shpine atë të ardhmen (ahiretin). 75:21
Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). 75:22
Që Zotin e tyre e shikojnë. 75:23
Atë ditë ka fytyra edhe të vrazhda. 75:24
Që presin t’u thyhet kurrizi (të shkatërrohen). 75:25
Jo dhe Jo! Po kur të arrijë (shpirti) në gropë të fytit (të gjoksit), 75:26
Dhe thuhet (nga familja e të afërmit): “Kush do ta shërojë?” 75:27
Dhe ai bindet se ai po ndahet. 75:28
E t’i puqet kofsha për kofshe (t’i vështirësohet gjendja). 75:29
Atë ditë vetëm te Zoti yt shkohet. 75:30
E ai as nuk vërtetoi atë që duhej, as nuk u falë. 75:31
Por përgënjeshtroi dhe ktheu shpinën. 75:32
Dhe shkonte te familja e tij me fodullëk. 75:33
Të është afruar ty e keqja e t’u afroftë! (ose i mjeri ti i mjeri). 75:34
Edhe nje herë t’u afrua ty e keqja; t’u afroftë! 75:35
A mos mendon njeriu se do të lihet duke mos zënë asgjë (pa kurrfarë përgjegjësie). 75:36
A nuk ka qenë ai në një pikë ujë që derdhet. 75:37
E pastaj u bë gjak i trashë, e Ai e krijoi dhe e përsosi? 75:38
Dhe prej tij Ai i bëri dy lloje: mashkullin dhe femrën. 75:39
A nuk është Ai (Zot) i fuqishëm që i ngjall të vdekurit? 75:40