At-Takwir
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Kur dielli të jetë mbështjellur (dhe errësohet), 81:1
Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur), 81:2
Dhe kur kodrat të kenë udhëtuar (e bërë pluhur në ajër), 81:3
Dhe kur devetë e shtrenjta të lihen pa bari në fushë, 81:4
Dhe kur egërsirat të jenë bashkuar (tubuar). 81:5
Dhe kur detet të vlojnë si zjarr i flakruar, 81:6
Dhe kur shpirtrat të jenë bashkuar. 81:7
Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, 81:8
Për çfarë mëkati ato janë mbytur, 81:9
Dhe kur fletushkat të jenë shpaluar, 81:10
Dhe kur qielli të jetë hequr, 81:11
Dhe kur Xhehennemi të jetë ndezur fort, 81:12
Dhe kur Xhenneti të jetë afruar, 81:13
Atëbotë njeriu do të dijë se çka ka ofruar (të mirë ose të keqe). 81:14
Betohem fuqimisht në yjet që tërhiqen (ditën, e ndriçojnë natën), 81:15
Që udhëtojnë e fshihen (si dreni në strofkë), 81:16
Pasha natën kur ajo ia beh me errësirë. 81:17
Pasha agimin kur ia shkrep! 81:18
S’ka dyshim se ai (Kur’ani) është thënie e të dërguarit fisnik (që e pranoi prej Zotit). 81:19
Që është i fortë dhe që ka vend të lartë te Zoti i Arshit. 81:20
Që është i respektuar atje (në mesin e engjëjve) dhe besnik. 81:21
Nuk është i marrë shoku juaj (Muhammedi)! 81:22
Dhe se ai e pat parë atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë lindor. 81:23
Dhe ai nuk është që në të fshehtën (shpalljen) ka dyshim (ose ua lë mangu). 81:24
Dhe ai (Kur’ani) nuk është thënie e djallit të mallkuar! 81:25
Pra, ku jeni, kah shkoni? 81:26
Ai (Kur’ani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit! 81:27
Për atë nga mesi juaj që dëshiron të gjendet në të vërtetën. 81:28
Po ju nuk mundeni, por vetëm nëse dëshiron All-llahu, Zoti i botëve! 81:29