Abasa
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. 80:1
Ngase atij i erdh i verbëri. 80:2
E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. 80:3
Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! 80:4
E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri, 80:5
Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)! 80:6
Po ti nuk ke përgjegjësi, pse ai nuk pastrohet. 80:7
Ndërsa ai që nxiton dhe vjen te ti, 80:8
Dhe meqë ai frikësohet, 80:9
E ti nuk e zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij), 80:10
Jo ashtu! Në të vërtetë këto janë këshilla. 80:11
Kush do merr mesim nga kjo (nga Kur’ani). 80:12
Është këshillë në flet të çmueshme. 80:13
Me vlerë të lartë e të ruajtur. 80:14
Në duar të udhëtuesve (engjëjve udhëtues mes All-llahut e njerëzve). 80:15
Të nderuar e të ruajtur. 80:16
Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai! 80:17
Po prej çkafi e krijoi Ai atë? 80:18
Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti. 80:19
Pastaj atij ia lehtësoi rrugën. 80:20
Mandej atë e bëri të vdesë dhe atij i bëri varr (të varrosët). 80:21
Pastaj kur të dojë Ai e ringjallë atë. 80:22
Jo! Ai nuk zbatoi atë që urdhëroi Ai. 80:23
Njeriu le të shikoje ushqimin e vet. 80:24
Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. 80:25
Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, 80:26
Dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra 80:27
Edhe rrush e perime, 80:28
Edhe ullinj e hurma, 80:29
Edhe kopshte të dendura, 80:30
Dhe pemë e kullosa, 80:31
Si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj. 80:32
E kur të vijë ushtima (krisma e kijametit); 80:33
Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet, 80:34
Prej nënës dhe prej babait të vet, 80:35
Prej gruas dhe prej fëmjëve të vet. 80:36
Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet. 80:37
Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura, 80:38
Të buzëqeshura e të gëzuara. 80:39
Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhëruara, 80:40
Që i ka mbuluar errësira e zezë, 80:41
E të tillët janë ata mohuesit, mëkatarët. 80:42