Qaf
Përkthimi: Sherif Ahmeti
Kaf, pasha Kur’anin e lavdishëm (do të ringjalleni)! 50:1
Por jo, ata u çuditën që u erdhi i dërguari (qortues) nga mesi tyre, andaj jobesimtarët thanë: “Kjo është diçka shumë e çuditshme. 50:2
A pasi të vdesim e të bëhemi dhe (do të kthehemi në jetë)? Ai kthim është larg (mendjes e mundësisë)!” 50:3
Ne dimë se ç’pakësohet (ç’tret) toka prej tyre. Te Ne është edhe libri që ruan çdo gjë (numrin e tyre, emrat, pjesët e trupit). 50:4
Ata përgënjeshtruan të vërtetën kur ajo u erdhi dhe ata janë në gjendje të luhatshme. 50:5
A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti. 50:6
Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura. 50:7
(I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti). 50:8
Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe më të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra të korren. 50:9
Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me frua të paluara njëri mbi tjetrin. 50:10
ushqim për njerëz, dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja. 50:11
Para tyre përgënjeshtruan populli i Nuhut, banorët e Bunarit (të pusit) dhe Themudi. 50:12
Edhe Adi, edhe Faraoni dhe vëllezërit e Lutit. 50:13
Edhe banorët e Ejkes, populli i Tubbeit. Të gjithë i përgënjeshtruan të dërguarit, atëherë e merituan dënimin Tim. 50:14
A mos u lodhëm Ne me krijimin e parë? Jo, por ata janë në një huti rreth një krijimi të ri. 50:15
Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpëritë ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij. 50:16
Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. 50:17
Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm. 50:18
Agonia e vdekjes i vjen me atë të vërtetën (i zbulohet çështja e ahiretit); kjo është ajo prej së cilës ke ikur. 50:19
Dje i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim). 50:20
E do të vijë secili njeri bashkë me të dhe grahësi edhe dëshmitari. 50:21
(I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e NE ta tërhoqëm perdën tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë. 50:22
E shoku (përcjellësi) i tij do të thotë: “Kjo që është te unë (regjistri i veprave) është gati. 50:23
Ju të dy (engjëjt) hidhinie në Xhehennem secilin mohues kryeneç. 50:24
Secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fe. 50:25
I cili All-llahut i shoqëroi Zot tjetër, pra hidhnie atë në vuajtjet më të rënda”. 50:26
E shoku i tij (djalli) thotë: “Zoti ynë, unë nuk u shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg”. 50:27
Ai (All-llahu) thotë: “Mos u gridni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen. 50:28
te Unë nuk ndryshon fjala (vendimi) dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit”. 50:29
(Përkujto) Ditën kur Ne Xhehennemit i themi: “A je mbushur?” E, ai thotë: “A ka ende?” 50:30
Ndërsa besimtarëve të ruajtur Xhenneti u afrohet krejt afër. 50:31
Kjo është ajo që u premtohet për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. 50:32
Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë. 50:33
(U thuhet) Hyni në te, të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme. 50:34
Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë. 50:35
E sa e sa brezni para tyre kemi shkatërruar e që ishin më të fortë e më të shkathët se këta (idhujtarët kurejshitë). Ata brodhën andej e këndej nëpër tokë (për t’i ikur vdekjes). Por, a mos gjetën rrugëdalje? 50:36
Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë me vëmendje, ka argumente. 50:37
Ne krijuam qiejt e tokën dhe gjithçka ka ndërmjet tyre brenda gjashtë ditesh dhe Ne nuk ndiem lodhje. 50:38
Po ti (Mumahed) me përballo atë që ata të thonë, para lindjes së diellit dhe para përendimit madhëro e falënderim Zotin tënd. 50:39
Falu për të Tij edhe në një pjesë të natës edhe pas sexhdes (pas namazit farz). 50:40
Dhe vëni veshin thirrësit kur thërret nga ndonjë vend i afërt. 50:41
Ditën kur e dëgjojnë thirrjen për të vërtetën (ringjalljen), e ajo është dita e daljes (prej varrezave). 50:42
S’ka dyshim se Ne japim vdekje dhe vetëm te Ne është kthimi i tyre. 50:43
Ditën kur me ata hapet toka e ata nguten (për vendtubim), e ai është një tubim i lehtë për Ne. 50:44
Ne dimë më së miri çka thonë ata, e ti ndaj tyre nuk je ndonjë dhunues, ti këshilloje me këtë Kur’an atë që i ka frikë kërcënimit Tim. 50:45